Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se protestat që po mbahen në Shqipëri janë çështje e brendshme e shtetit shqiptar dhe se politikanët nga Kosova nuk duhet të përfshihen në to.
I pyetur për pretendimet mbi përfshirjen e eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje në protestat në Shqipëri, Tahiri tha se protesta është e drejtë demokratike, por se zhvillimet duhet të mbeten brenda institucioneve dhe qytetarëve të Shqipërisë.
Ai theksoi se çdo ndërhyrje nga Kosova në këto zhvillime mund të dëmtojë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe proceset politike në Shqipëri, përfshirë edhe rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
“Shqipëria duhet t’i trajtojë vetë çështjet e saj politike, ndërsa Kosova nuk duhet të involvohet në to,” u shpreh Tahiri, duke shtuar se qytetarët dhe partitë politike në Kosovë duhet të përqendrohen në problemet e brendshme të vendit.
Ai u bëri thirrje që të shmanget çdo përfshirje në zhvillimet politike në Shqipëri, duke theksuar se vendimet duhet t’u takojnë qytetarëve shqiptarë.




