Në Prishtinë është mbajtur takimi i 7-të i Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ku u diskutuan zhvillimet politike dhe progresi në procesin e reformave.
Takimi u hap nga Kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, dhe Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Valentina Superti. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të BE-së.
Komiteti shqyrtoi gjendjen e zbatimit të kritereve politike dhe ekonomike, përafrimin me legjislacionin evropian, si dhe obligimet që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA).
Bashkimi Evropian vlerësoi përparimet në disa fusha, por theksoi nevojën për përshpejtim të reformave, veçanërisht në administratën publike, sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.




