Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar zbatimin e vendimit të Komunitetit të Energjisë që obligon Serbinë të vërë në dispozicion kapacitetet ndërkufitare për tregtinë e energjisë me Kosovën, duke theksuar se Beogradi nuk ka ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim.
Deklaratat ajo i bëri gjatë takimit joformal të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, ku Kosova këtë vit mban kryesimin e këtij mekanizmi rajonal. Në fokus të diskutimeve ishin siguria energjetike, integrimi i tregut dhe tranzicioni energjetik.
Rizvanolli tha se Kosova po punon për integrimin e tregut të energjisë elektrike, harmonizimin e politikave klimatike dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal, duke e cilësuar këtë si pjesë të prioriteteve të saj gjatë kryesimit.
Ajo akuzoi Serbinë se nuk ka respektuar afatin e përcaktuar nga Këshilli Ministror, sipas të cilit operatori i transmetimit në Serbi duhej të hapte kapacitetet ndërkufitare me Kosovën deri më 1 korrik 2026. Sipas saj, nuk janë ndërmarrë as hapa përgatitorë dhe as nuk është pranuar bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me operatorin KOSTT.
“Ne nuk mund dhe nuk do të qëndrojmë duarkryq”, tha Rizvanolli, duke shtuar se moszbatimi i këtij obligimi po ndikon në ngarkimin e kapaciteteve të transmetimit dhe po rëndon konsumatorët në rajon, përfshirë Kosovën.
Përfaqësues të Bashkimit Evropian theksuan se siguria energjetike duhet të trajtohet në nivel më të gjerë evropian dhe se integrimi i tregjeve të energjisë mbetet prioritet strategjik. Ata nënvizuan se bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike mes BE-së dhe vendeve të Komunitetit të Energjisë është hap kyç drejt stabilitetit energjetik.
Ndërkohë, drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski, vlerësoi rolin udhëheqës të Kosovës në këtë mekanizëm, duke theksuar rëndësinë e reformave të menjëhershme për integrimin e tregut energjetik me Bashkimin Evropian.




