Dy kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, kanë vazhduar kërkesat për rinumërim të plotë të votave, pavarësisht se ankesat e tyre janë refuzuar disa herë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykata Supreme.
Kryeziu ka paralajmëruar se do t’i drejtohet sërish Supremes me një dokument të ri, për të cilin thotë se përmban të dhëna që, sipas tij, tregojnë mbi 500 vota dallim për PDK-në dhe që nuk janë paraqitur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Edhe Haxhiu ka deklaruar se do të bashkëngjisë të njëjtin dokument në ankesën e tij, duke insistuar se ai dëshmon nevojën për rinumërim të plotë të votave.
Ndërkohë, Gjykata Supreme nuk ka pranuar ende ankesa të reja, ndërsa afati për dorëzim po përfundon. Pas kësaj faze, gjykata ka edhe disa ditë kohë për trajtimin e tyre, para se të hapet rruga për certifikimin e rezultateve zgjedhore.




