Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me inspektimin e zhvilluar në objektet e kompanisë Vita, duke e cilësuar atë si një veprim të pazakontë që ngre pikëpyetje për proporcionalitetin dhe nevojën e ndërhyrjes.
Në reagimin e saj, Oda Amerikane thekson se mbështet zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e konsumatorëve, por vlerëson se kontrollet duhet të zhvillohen në mënyrë profesionale, të paanshme dhe në përputhje me sigurinë juridike.
Sipas saj, angazhimi i një numri të madh inspektorësh ndaj një kompanie të vetme mund të krijojë perceptimin e trajtimit selektiv, duke ndikuar negativisht në besimin e komunitetit të biznesit dhe investitorëve.
Oda Amerikane rikujtoi gjithashtu shqetësimet e saj të vazhdueshme për përkeqësimin e klimës së të bërit biznes në Kosovë, duke theksuar se raste të tilla rrisin pasigurinë juridike dhe ulin besimin e investitorëve vendas dhe të huaj.




