Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, vlerëson se zhvillimet politike pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit po e çojnë vendin drejt një procesi të ri zgjedhor.
Sipas saj, mungesa e bisedimeve ndërmjet partive dhe sinjaleve nga partia fituese për zgjidhjen e ngërçit politik tregon se zgjedhjet e reja mbeten skenari më i mundshëm.
Daka theksoi se rezultatet e zgjedhjeve nuk kanë sjellë ndryshime të mëdha në raportet mes partive politike. Ajo tha se, përveç një rritjeje të lehtë të LDK-së, partitë e tjera kanë ruajtur pothuajse të njëjtat pozicione, duke lënë pak hapësirë për ndryshime të mëdha edhe në një proces të ardhshëm zgjedhor.
Sipas saj, pjesëmarrja më e ulët e votuesve ka ndikuar në rezultat, por nuk mund të përcaktohet me siguri se cilës parti i kanë munguar më shumë votat.




