Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka paralajmëruar se mungesa e reformave ekonomike dhe investimeve infrastrukturore mund të shtyjë bizneset prodhuese të zhvendosin aktivitetin e tyre jashtë Kosovës.
Ai tha se komuniteti i biznesit po përballet me sfida të shumta dhe se investimet me ndikim afatgjatë në ekonomi kanë munguar, ndërsa fokusi është përqendruar kryesisht në skema të asistencës sociale.
Sipas Zekës, vendet e rajonit po bëhen gjithnjë e më konkurruese për tërheqjen e investimeve, ndërsa ekziston rreziku që kompani prodhuese nga Kosova të zhvendosen në qytete si Shkupi apo Kukësi.
Ai theksoi se një zhvillim i tillë do të sillte humbje të vendeve të punës, ulje të të hyrave buxhetore dhe pasoja për zhvillimin ekonomik të vendit.
Zeka bëri thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe për përshpejtimin e reformave ekonomike, duke vlerësuar se projektet infrastrukturore dhe politikat zhvillimore duhet të jenë prioritet për Kosovën.




