Juristi Ardian Bajraktari ka reaguar ndaj narrativës se institucionet e Kosovës e kanë themeluar vetë Gjykatën Speciale, duke theksuar se kjo nuk duhet të përdoret për të arsyetuar çdo veprim të saj.
Sipas Bajraktarit, themelimi i Gjykatës Speciale erdhi në rrethana të vështira politike dhe nën presion të madh ndërkombëtar, si përgjigje ndaj akuzave të rënda që rëndonin mbi Kosovën dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Ai vlerëson se vendimi ishte marrë me përgjegjësi institucionale dhe në koordinim me aleatët ndërkombëtarë, por shton se kjo nuk nënkupton se puna e gjykatës nuk mund të kritikohet.
Bajraktari shpreh shqetësim për zgjatjen e proceseve gjyqësore, interpretimet selektive të ligjit dhe, sipas tij, cenimin e disa parimeve të drejtësisë, duke theksuar se kritika ndaj këtyre çështjeve është legjitime.
“Respektimi i drejtësisë nuk matet me themelimin e një gjykate, por me mënyrën se si ajo e zbaton ligjin. Kur një gjykatë devijon nga standardet e drejtësisë, kritika është mbrojtje e drejtësisë, jo sulm ndaj saj”, ka deklaruar Bajraktari.




