Ish-banorja e Big Brother VIP Kosova, Juliana Nura, ka bërë të ditur se është në pritje të binjakëve, një djalë dhe një vajzë, të konceptuar përmes fertilizimit të asistuar mjekësor (IVF) me donator.
Deklarata e saj ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku ajo është përballur me kritika dhe paragjykime për vendimin e saj personal.
Në mbështetje të saj ka reaguar aktivistja për të drejtat e grave, Zana Avdiu, e cila ka vlerësuar guximin e Julit për të jetuar hapur zgjedhjen e saj dhe për të sfiduar normat shoqërore.
Avdiu theksoi se nuk mjafton vetëm të flitet për lirinë e zgjedhjes, por ajo duhet të jetohet në praktikë, duke i uruar gjithashtu shtatzëni të mbarë Juliana Nurës.
Edhe vetë Nura ka reaguar ndaj komenteve, duke thënë se ka vendosur të flasë hapur për këtë rrugëtim për të thyer tabu dhe për t’ua lehtësuar rrugën gjeneratave të ardhshme, sidomos vajzave.




