Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se ka zhvilluar takim me kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, dhe bashkëpunëtorët e tij, ku është diskutuar për çështjet mjedisore dhe lokacionin e propozuar për ndërtimin e deponisë sanitare në Kërçevë të Lipjanit, e cila pritet t’i shërbejë rajonit të Prishtinës.
Sipas saj, lokacioni aktual nuk vlerësohet si më i përshtatshmi për shkak të afërsisë me Zonën Ekonomike dhe vendbanimet përreth. Palët janë dakorduar që të koordinojnë veprimet për të gjetur një hapësirë tjetër më të përshtatshme brenda komunës.
Pacolli thekson se prioritet mbetet menaxhimi i qëndrueshëm i mbeturinave dhe pastrimi i Kosovës në përputhje me standardet mjedisore dhe nevojat e qytetarëve.




