Eksperti i çështjeve evropiane, Shenoll Muharremi, ka kritikuar qasjen e institucioneve të Kosovës në raport me procesin e integrimit evropian, duke thënë se përparimi drejt BE-së nuk varet nga eurodeputetët, por nga vendet anëtare që ende hezitojnë ta trajtojnë aplikimin e Kosovës.
Në një reagim të tij, Muharremi ka thënë se Parlamenti Evropian ka qenë vazhdimisht mbështetës i Kosovës dhe se angazhimi diplomatik duhet të përqendrohet në kryeqytetet e shteteve që kanë ndikim në vendimmarrjen për statusin e Kosovës në BE.
Sipas tij, Kosova duhet të intensifikojë lobimin diplomatik dhe të bindë partnerët ndërkombëtarë për përparimin e saj, duke adresuar edhe shqetësimet që lidhen me funksionimin e institucioneve, reformat dhe zbatimin e marrëveshjeve.
Muharremi ka vlerësuar se kërkesat drejtuar eurodeputetëve në Prishtinë nuk sjellin rezultate konkrete, pasi vendimmarrja kryesore për avancimin evropian të Kosovës lidhet me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Ai ka bërë thirrje për një qasje më aktive diplomatike, duke theksuar se Kosova duhet të fokusohet te faktorët që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e integrimit.




