Në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, vendosja e kamerave të reja të sigurisë me mundësi të incizimit të zërit ka nxitur reagime dhe ndërhyrjen e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Pas një ankese të bërë nga punonjës të spitalit, AIP zhvilloi inspektim dhe konstatoi se përdorimi i kamerave me audio ishte i pajustifikuar, duke urdhëruar ndërprerjen e këtij funksioni. Më pas, kamerat që regjistronin zërin janë hequr.
Sipas të dhënave të prokurimit, në tenderin e spitalit ishte kërkuar që kamerat të kishin edhe funksion të komunikimit audio. Megjithatë, institucioni nuk ka dhënë sqarime për arsyen e kësaj kërkese.
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka bërë të ditur se përdorimi i kamerave me incizim zëri dhe njohje të fytyrës duhet të jetë përjashtim dhe jo praktikë e zakonshme, pasi paraqet ndërhyrje të thellë në privatësinë e qytetarëve.
Funksione të ngjashme janë kërkuar edhe në disa tenderë të tjerë të institucioneve publike, përfshirë komuna, shkolla dhe institucione shëndetësore. Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i kamerave inteligjente kërkon bazë të qartë ligjore, transparencë dhe masa të forta për mbrojtjen e të dhënave personale.




