Ish-diplomati Syle Ukshini ka deklaruar se rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian vazhdon të jetë e lidhur ngushtë me procesin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Ohrit.
Në emisionin “FIVE” në Dukagjin, Ukshini tha se edhe pse kjo çështje nuk theksohet gjithmonë publikisht nga institucionet evropiane, dialogu mbetet një nga kriteret kryesore për avancimin e Kosovës në procesin e integrimit.
Sipas tij, Bashkimi Evropian ka bërë të qartë se detyrimet që burojnë nga marrëveshja e arritur në Ohër janë pjesë e procesit të integrimit evropian.
Ukshini vlerësoi se kjo qasje e BE-së e lidh progresin në dialog me progresin në rrugën evropiane të Kosovës, ndërsa shtoi se Serbia, sipas tij, ka shfaqur mungesë vullneti për t’u angazhuar në këtë proces.
Ai theksoi se për Kosovën mbetet sfidë ruajtja e dinamikës së integrimit, duke pasur parasysh ndërlidhjen mes dialogut dhe kërkesave të Bashkimit Evropian.




