Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar se indeksimi i subvencioneve sipas normës së inflacionit të inputeve bujqësore mbetet mënyra e vetme për të mbrojtur bujqit dhe prodhimin vendor.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se prej dy vitesh ka ngritur shqetësimin për rritjen e çmimeve të inputeve bujqësore, si plehrat, farërat, pesticidet dhe derivatet, duke theksuar se këto kosto janë rritur më shpejt sesa inflacioni i përgjithshëm në ekonomi.
Ai vlerësoi se subvencionet për kulturat bujqësore duhet të rriten në përputhje me rritjen e çmimeve të inputeve, në mënyrë që fermerët të mos përballen me humbje.
Sipas Hotit, një qasje e tillë do të ndihmonte në mbrojtjen e prodhimit vendor, ndërsa paralajmëroi se, në të kundërtën, do të ketë më shumë toka të papunuara dhe rritje të varësisë nga produktet e importit.




