Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale ka reaguar pas dëmtimit të objektit përcjellës të kompleksit memorial “Kulla e Zahir Pajazitit” në Orllan të Podujevës, duke bërë të ditur se ka kërkuar nisjen e hetimeve nga Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit të Agjencisë, kërkesa për inicimin e hetimeve është dorëzuar më 6 korrik 2026 në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë dhe në Stacionin Policor në Podujevë. Rasti është referuar në bazë të dispozitave të Kodit Penal, ku dëmtimi, shkatërrimi apo cenimi i monumenteve dhe objekteve të mbrojtura kulturore, historike dhe fetare mund të përbëjë vepër penale.
Agjencia ka bërë të ditur se krahas procedurave hetimore, është duke realizuar edhe projektin “Intervenime Emergjente në Komplekse dhe Memoriale, Varreza të Dëshmorëve dhe Martirëve – Kosovë”, ku përfshihet edhe ndërhyrja në kompleksin memorial “Kulla e Zahir Pajazitit”.
Qëllimi i këtij projekti, sipas Agjencisë, është ruajtja dhe përmirësimi i gjendjes së komplekseve memoriale, ndërsa në bashkëpunim me institucionet kompetente do të shqyrtohen mundësitë për sanimin e dëmtimeve të shkaktuara.
Agjencia ka njoftuar se për çdo zhvillim të ri lidhur me rastin, opinioni publik do të informohet pas pranimit të raporteve zyrtare nga organet e rendit dhe institucionet përgjegjëse.




