Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ka përcaktuar një standard të qartë për statusin juridik të ushtruesve të detyrës në institucionet publike.
Sipas tij, ushtruesi i detyrës nuk e fiton statusin e bartësit të rregullt të funksionit dhe nuk mund të përfitojë të drejta apo privilegje që ligji ua njeh vetëm zyrtarëve të emëruar ose të zgjedhur në atë pozitë.
Miftaraj ka theksuar se edhe në rastet kur ushtrimi i detyrës zgjat më shumë se gjashtë muaj, kjo nuk krijon automatikisht të drejtën për përfitime pas përfundimit të mandatit.
Ai ka përmendur se kompensimet financiare, përfshirë përfitimet pas përfundimit të funksionit, si dhe privilegje të tjera, vlejnë vetëm për pozitat e përcaktuara shprehimisht me ligj dhe kur plotësohen kushtet e kërkuara.
Sipas tij, një ushtrues detyre nuk mund të kërkojë këto përfitime vetëm mbi bazën se ka ushtruar përkohësisht një funksion të caktuar.




