Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka mbikëqyrur asgjësimin e mbi 6 mijë maicave, të cilat janë konstatuar se cenonin të drejtat e pronësisë intelektuale.
Rasti kishte nisur më 2 qershor 2026, kur një importues kishte deklaruar mallra për zhdoganim në Terminalin Doganor në Mitrovicë, pa specifikuar markën tregtare të produkteve.
Pas kontrollit fizik dhe dokumentar, zyrtarët doganorë kishin ngritur dyshime për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale. Pas verifikimit nga bartësi i së drejtës, u konfirmua se produktet nuk përmbushnin kriteret ligjore.
Dogana ka ndaluar lirimin e mallit, ka nisur procedurën kundërvajtëse ndaj importuesit dhe ka ndërmarrë masat për asgjësimin e produkteve.
Asgjësimi i maicave është realizuar më 8 korrik 2026, nën mbikëqyrjen e Doganës së Kosovës, me qëllim që ato të mos dalin në tregun e vendit.
Dogana ka theksuar se do të vazhdojë kontrollet për parandalimin e tregtisë me mallra të falsifikuara dhe mbrojtjen e konsumatorëve dhe bizneseve legjitime.






