Policia e Kosovës ka realizuar më 14 korrik dy ekstradime në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe institucionet e drejtësisë. Një i dyshuar është ekstraduar nga Shqipëria në Kosovë, ndërsa një tjetër nga Kosova në Shqipëri.
Sipas Policisë, të dy ishin në kërkim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it. Njëri dyshohet për blerje, posedim dhe shpërndarje të substancave narkotike, si dhe kalim të paautorizuar të kufirit, ndërsa tjetri për trafikim me narkotikë.
Po të njëjtën ditë, në Prishtinë është arrestuar edhe një shtetas turk, i kërkuar nga autoritetet e Malit të Zi dhe Turqisë përmes INTERPOL-it për veprat penale mashtrim, shmangie nga tatimi dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.
Me urdhër të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa procedurat ligjore ndaj tij janë në vazhdim.




