Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, ka kundërshtuar përfshirjen e çështjes së zgjedhjes së presidentit në negociatat për formimin e qeverisë.
Sipas tij, një veprim i tillë mund të paraqesë rrezik për funksionimin demokratik të vendit, pasi do të krijonte një shumicë shumë të gjerë parlamentare dhe më pak kontroll institucional.
Duke folur në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, Gola tha se nuk e sheh të arsyeshme që zgjedhja e presidentit të bëhet pjesë e marrëveshjeve për krijimin e qeverisë.
“Është e palogjikshme që pushteti kryesor të zgjidhet me 60 vota, ndërsa një funksion institucional të kërkojë 80 vota. Por kur presidenti bëhet pjesë e negociatave për formimin e qeverisë, kjo mund të jetë rrezik për demokracinë, sepse krijon një mazhorancë tepër të madhe dhe më pak të kontrollueshme”, ka deklaruar ai.
Gola u shpreh gjithashtu kundër koalicioneve të gjera, duke thënë se një opozitë e dobët nuk i shërben demokracisë.
“Koalicionet e gjera, duke lënë një opozitë të dobët, janë të dëmshme për demokracinë”, tha ai.




