Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet I.K., nën dyshimin për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri më 16 prill 2026, përmes rrjetit social Facebook, dyshohet se ka publikuar përmbajtje që kanë pasur për qëllim nxitjen e urrejtjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve fetare.
Në njoftim thuhet se veprimet e dyshuara kanë cenuar bashkëjetesën ndërfetare dhe mund të kenë ndikuar në prishjen e rendit dhe qetësisë publike.
Rasti do të shqyrtohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila do të vendosë për procedurat e mëtejshme.




