Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka arrestuar një person në rajonin e Prizrenit, i dyshuar për krime kibernetike.
Sipas autoriteteve, i dyshuari kishte siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna bankare dhe personale, kryesisht të shtetasve amerikanë, të cilat më pas dyshohet se i publikonte në platforma online për keqpërdorim.
Gjatë aksionit janë sekuestruar prova që lidhen me rastin, ndërsa me urdhër të prokurorit i dyshuari është ndaluar për 48 orë. Hetimet po vazhdojnë në koordinim me autoritetet amerikane.




