Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në raste të ndara në Pejë, Klinë dhe Istog, të dyshuar për armëmbajtje pa leje, ndërsa njëri prej tyre dyshohet edhe për lëndim të lehtë trupor.
Në Pejë, një person u arrestua pas hetimeve lidhur me një sulm fizik të ndodhur më 8 korrik, ku një qytetar kishte përfunduar i lënduar në spital. I dyshuari dorëzoi një armë (shkrepës) dhe, me vendim të prokurorit, u dërgua në mbajtje për 48 orë.
Në një rast tjetër në fshatin Dollc të Klinës, policia ndaloi një veturë gjatë një pike kontrolli, ku gjeti dhe sekuestroi një armë të tipit TT, një karikator dhe shtatë fishekë. I dyshuari u arrestua, por pas intervistimit u lirua në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Istog, pas një informate se një person posedonte armë në një lokal, policia arrestoi të dyshuarin dhe sekuestroi një armë të tipit Ekol, një karikator dhe pesë fishekë të kalibrit 9 mm. Edhe në këtë rast, i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit.





