Eqrem Avdullahu ka pranuar fajësinë për veprën penale “kanosje” ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.
Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Drenas, i akuzuari deklaroi se ndihet fajtor dhe kërkoi falje. Gjykata e ka miratuar pranimin e fajësisë, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 23 korrik 2026, në orën 11:30.
“Jam fajtor, e ndjej veten fajtor. Kërkoj falje”, tha Avdullahu.
Avokati i Hysni Gucatit, Halim Shala, deklaroi se pranimi i fajësisë mund të merret si rrethanë lehtësuese, por sipas tij nuk e zvogëlon peshën e kërcënimit dhe pasojat e shkaktuara.
Sipas aktakuzës, më 3 qershor 2026, Avdullahu dyshohet se përmes një komenti në rrjetin social Facebook ka kanosur seriozisht Gucatin, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri për jetën.
Prokuroria ka thënë se komenti ishte bërë në një postim ku ishte publikuar fotografia e Gucatit me pretendime për çështje të punësimit të tij, ndërsa i akuzuari kishte reaguar me një koment kërcënues.




