Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ku është diskutuar situata aktuale në sektorin energjetik dhe nevoja për investime afatgjata.
Gjatë takimit, Gjini ka theksuar rëndësinë e realizimit të projekteve strategjike që do të ndihmonin në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe rritjen e sigurisë energjetike në vend.
Në fokus të diskutimit ishte edhe mundësia e zhvillimit të projekteve të mëdha energjetike, përfshirë gazsjellësin dhe kapacitete të reja prodhuese, si alternativa për një furnizim më të qëndrueshëm.
Gjini ka vlerësuar se sektori i energjisë kërkon planifikim të qartë dhe vendime që synojnë mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ai ka falënderuar përfaqësuesit e ZRRE-së për bashkëpunimin dhe diskutimin profesional.




