Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka vlerësuar se zhvillimi ekonomik, rritja e investimeve dhe integrimi evropian nuk mund të arrihen pa institucione funksionale dhe stabilitet politik.
Në një takim të mbajtur në Prizren, drejtuesit dhe bashkëthemeluesit e AKB-së diskutuan për sfidat ekonomike dhe politike, duke theksuar se zvarritja e krijimit të institucioneve dëmton klimën e biznesit dhe besimin e investitorëve.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se bizneset kanë nevojë për siguri juridike, vendimmarrje të shpejtë dhe partneritet të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Në fund, AKB u bëri thirrje forcave politike që të formojnë sa më shpejt institucionet, në interes të zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes evropiane të Kosovës.




