Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është angazhuar në ndërhyrjen për shuarjen e zjarrit të madh që ka përfshirë deponinë e mbeturinave në fshatin Sverkë të Pejës.
Pas kërkesës së Qendrës së Situatave pranë Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, FSK ka mobilizuar njësitë e specializuara të Gardës Kombëtare, të cilat kanë nisur operacionin në terren.
Sipas FSK-së, ndërhyrja synon izolimin e vatrës së zjarrit, parandalimin e ndotjes së mjedisit dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Operacioni po zhvillohet në koordinim me institucionet qendrore, lokale dhe shërbimet emergjente, me synim vënien sa më të shpejtë të situatës nën kontroll.




