Dogana e Kosovës ka konfiskuar 25 për qind të mjeteve monetare të padeklaruara, të zbuluara gjatë një kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë.
Sipas njoftimit, një automjet me targa vendore është ndaluar për kontroll në hyrje të Kosovës, ndërsa drejtuesi fillimisht kishte deklaruar se nuk posedonte mallra apo para që duhej të deklaroheshin.
Pas një kontrolli të detajuar, zyrtarët doganorë gjetën një shumë parash që tejkalonte kufirin ligjor prej 10 mijë eurosh dhe nuk ishte deklaruar.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi, Dogana konfiskoi 25 për qind të shumës së padeklaruar, ndërsa për pjesën tjetër ka kërkuar dokumentacion që dëshmon origjinën e ligjshme të mjeteve. Rasti është proceduar për shqyrtim të mëtejshëm.
Dogana rikujton se çdo person që hyn ose del nga Kosova me 10 mijë euro ose më shumë është i detyruar t’i deklarojë ato pranë autoriteteve doganore.




