Një ngjarje e rëndë ka tronditur familjen në Shtime, ku një fëmijë 3-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se është ngulfatur me një copë mishi.
Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur në oborrin e shtëpisë së familjes, derisa po përgatitej ushqimi. Fëmija dyshohet se ka marrë një copë mishi, e cila i ka bllokuar rrugët e frymëmarrjes.
Familjarët kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë dhe më pas e kanë dërguar me urgjencë në Qendrën Emergjente në Shtime. Edhe pse mjekët kanë arritur ta largojnë pengesën nga rrugët e frymëmarrjes, fëmija ka mbërritur pa shenja jete.
Më pas, ai është transferuar në Spitalin Rajonal të Ferizajt, ku ekipet mjekësore kanë vazhduar përpjekjet për reanimim, por fatkeqësisht pa sukses. Vdekja e tij është konstatuar në orët e mbrëmjes.
Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Policia dhe njësitë përkatëse kanë kryer ekzaminimet në vendin e ngjarjes, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave po vazhdojnë.




