Kosova dhe Gjermania kanë avancuar bashkëpunimin në fushën e klimës dhe tranzicionit energjetik përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Zbatimit për Mbështetjen e Partneritetit për Klimën dhe Energjinë.
Marrëveshja u nënshkrua në një ceremoni ku morën pjesë përfaqësues të Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe GIZ Kosovo.
Sipas Ambasadës gjermane, kjo marrëveshje krijon një kornizë më konkrete bashkëpunimi mes dy vendeve, duke synuar forcimin e dialogut për politikat klimatike, koordinimin institucional dhe zhvillimin e kapaciteteve.
Përmes këtij partneriteti synohet të mbështeten përpjekjet e Kosovës në fushën e energjisë së qëndrueshme, rritjen e rolit të saj në diplomacinë klimatike dhe avancimin e proceseve drejt integrimit evropian.
Ambasada e Gjermanisë e ka vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet shumëvjeçare mes dy vendeve.




