Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se rikthimi i ish-prokurorëve dhe ish-gjyqtarëve serbë, të cilët kishin dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në fund të vitit 2022, duhet të bëhet vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se largimi i tyre nga institucionet e Kosovës kishte qenë një veprim i organizuar politikisht, ndërsa theksoi se kthimi nuk mund të bëhet me vendim politik, por vetëm përmes procedurave ligjore.
Ai tha se institucionet e Kosovës u kishin bërë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të mos i braktisnin institucionet, por sipas tij, nuk kanë kompetencë që t’u urdhërojnë rikthimin.
“Kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se dorëheqjet tashmë janë trajtuar nga institucionet përkatëse.
Kurti ka përmendur se çështja është shqyrtuar nga Policia e Kosovës dhe Këshilli Prokurorial, ndërsa ka thënë se pritet që edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës ta trajtojë në mbledhjen e radhës, pasi takimi i planifikuar ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.




