Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ku u diskutua për zhvillimet në procesin e dialogut dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, një nga temat kryesore ishte kthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Kurti theksoi se rikthimi i tyre duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, duke garantuar karakterin shumetnik të sistemit të drejtësisë, pavarësinë e tij dhe cilësinë e ushtrimit të drejtësisë.
Ai ritheksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj kushtetutshmërisë, ligjshmërisë, barazisë së qytetarëve dhe përfshirjes së të gjitha komuniteteve në institucionet e vendit. Sipas tij, punësimi në polici, gjyqësor dhe prokurori duhet të bazohet në kompetencën profesionale dhe integritetin etik.
Kurti vlerësoi se dorëheqjet kolektive të zyrtarëve serbë në veri kishin për synim cenimin e përbërjes shumetnike të institucioneve, duke theksuar se zgjidhja duhet të vijë në përputhje me rendin kushtetues të Kosovës.
Në takim u diskutua edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Kurti rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për një qasje konstruktive në dialog, me synim paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.




