UEFA ka bërë të ditur se shorti për fazën e ligës së Ligës së Kampionëve për sezonin 2026/27 do të mbahet më 27 gusht 2026, një ditë pas përfundimit të ndeshjeve të play-off-it.
Në këtë short do të marrin pjesë 36 skuadra, ku 29 prej tyre do të sigurojnë kualifikimin direkt, ndërsa shtatë të tjera do të mësohen pas përfundimit të fazës së play-off-it më 26 gusht.
Edhe në sezonin e ri do të vazhdojë formati i ri i garës, ku faza me grupe është zëvendësuar me një ligë të përbashkët me 36 ekipe.
Tetë skuadrat më të mira në renditje do të avancojnë direkt në fazën e 16 më të mirave, ndërsa ekipet nga vendi i nëntë deri në vendin e 24-t do të luajnë në fazën shtesë për të siguruar tetë vendet e mbetura në fazën eliminatore.
Lista përfundimtare e pjesëmarrësve do të përcaktohet pas përfundimit të të gjitha ndeshjeve kualifikuese, para hedhjes së shortit në fund të gushtit.




