Policia e Kosovës ka ndëshkuar pesë shoferë për kundërvajtje të rënda në trafik në dalje të autostradës në fshatin Bibaj të Ferizajt.
Sipas njoftimit, shoferët janë ndaluar pasi kanë tejkaluar kolonën e automjeteve duke përdorur shiritin emergjent në drejtim të rrethrrotullimit.
Katër shoferëve me patentë vendore u janë shqiptuar gjoba nga 300 euro, 3 pikë negative dhe masa e heqjes së lejes së drejtimit për një vit. Ndërsa një shofer me patentë të huaj është gjobitur me 300 euro dhe i është ndaluar drejtimi i automjetit në territorin e Kosovës për një vit.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe respektimit të rregullave rrugore.




