Kryetarja e Alternativës dhe ministre në Qeverinë Kurti, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se debati për projektin e gazit amerikan në Kosovë duhet të zhvillohet mbi baza ekonomike dhe fakte konkrete, e jo të shndërrohet në një diskutim politik.
Në një intervistë për T7, ajo tha se çështja e gazit nuk duhet të interpretohet si një ndarje mes atyre që janë “pro” ose “kundër” Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se një qasje e tillë e largon vëmendjen nga analiza reale e përfitimeve dhe sfidave të projektit.
“Kjo nuk duhet të jetë një çështje që kategorizon dikë si pro apo kundër Amerikës. Debati duhet të fokusohet te aspektet ekonomike dhe ndikimi që do të kishte një investim i tillë”, u shpreh Kusari-Lila.
Ajo shtoi se pajtohet me qëndrimin e kolegëve të saj në Qeveri se ndërtimi i një infrastrukture të gjerë të gazit për amvisëritë në Kosovë nuk është i domosdoshëm.
Sipas saj, vendi nuk ka pasur traditë të përdorimit të gazit në sektorin familjar, prandaj një investim i tillë nuk konsiderohet prioritet në rrethanat aktuale.




