Fluksi i automjeteve në pikat kufitare të Kosovës mbetet i shtuar, ndërsa pritjet më të gjata janë regjistruar në vendkalimin kufitar të Dheut të Bardhë.
Sipas të dhënave të përditësuara në orën 17:00, qytetarët që hyjnë në Kosovë përmes kësaj pike po presin deri në 50 minuta, ndërsa kolona e automjeteve ka arritur rreth 300 metra. Në dalje, pritjet janë nga pesë deri në dhjetë minuta.
Në Han të Elezit, pritjet janë rreth 20 minuta si në hyrje ashtu edhe në dalje, me kolona që arrijnë deri në 80 metra në të dy drejtimet.
Ndërkohë, në Muçibabë është krijuar kolonë prej rreth 100 metrash në hyrje, ndërsa në Kullë kolona me gjatësi të njëjtë është regjistruar në dalje. Në Vërmicë, kolona në hyrje arrin rreth 70 metra.
Në Jarinje, pritjet në dalje zgjasin nga 10 deri në 15 minuta, ndërsa në hyrje nga pesë deri në dhjetë minuta.
Në vendkalimet e tjera kufitare, përfshirë Merdarën, Bërnjakun, Glloboqicën, Mutivodën, Qafën e Morinës, Qafën e Prushit dhe Stançiqin, pritjet janë kryesisht nga tre deri në dhjetë minuta.
Për automjetet e rënda nuk janë raportuar kolona, ndërsa koha e pritjes për kamionët në të gjitha pikat kufitare është nga tre deri në pesë minuta.




