Një ngjarje e rëndë ka tronditur banorët e fshatit Ramjan të Vitisë. 19-vjeçari Dion Emerllahu ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë trafiku në Itali, teksa po udhëtonte drejt Kosovës për të kaluar pushimet me familjen.
Sipas njoftimit të Këshillit të Fshatit Ramjan, Dioni ishte nisur më 21 korrik nga Franca së bashku me familjen e tij, me destinacion vendlindjen, ku do të festonte edhe ditëlindjen e 19-të.
Gjatë udhëtimit, në afërsi të Milanos në Itali, automjeti që drejtohej nga ai është përfshirë në një aksident me një tjetër veturë. Pas përplasjes, i riu është dërguar me urgjencë në spital, ku për disa ditë ka luftuar për jetën.
Megjithë përpjekjet e mjekëve, Dioni nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë më 24 korrik, pikërisht në ditën kur mbushte 19 vjeç, pranë familjarëve të tij.
Familjarët dhe banorët e Ramjanit e kanë përshkruar Dionin si një të ri të urtë dhe punëtor, i cili jetonte dhe punonte së bashku me familjen e tij në Francë.
Këshilli i Fshatit Ramjan ka shprehur ngushëllime për familjen Emerllahu, duke e cilësuar humbjen e tij si një dhimbje të madhe për të gjithë komunitetin. Koha e varrimit do të bëhet e ditur nga familja.




