Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, duke thënë se nuk ka ambicie personale për këtë post dhe se zgjidhja mund të arrihet vetëm përmes kompromisit mes partive politike.
Konjufca tha se PDK-ja vazhdon të mbajë qëndrimin se presidenti duhet të jetë nga radhët e saj, ndërsa vlerësoi qasjen më bashkëpunuese të LDK-së dhe qëndrimin e fundit të AAK-së për shmangien e zgjedhjeve të reja.
Sipas tij, Kosova ka kaluar nëpër disa procese zgjedhore brenda një periudhe të shkurtër, gjë që ka ndikuar edhe në funksionimin e institucioneve dhe në përfaqësimin ndërkombëtar të vendit.
Duke folur për procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Konjufca kërkoi që vendimi final të bazohet në drejtësi dhe jo në motive politike.
Ai deklaroi se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe se një vendim që do ta cilësonte atë si luftë kriminale do të shkaktonte pakënaqësi të madhe te qytetarët e Kosovës. Konjufca theksoi se mbështetja ndërkombëtare gjatë luftës, sipas tij, ishte dëshmi e rolit të UÇK-së në ndaljen e gjenocidit në Kosovë.




