Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Suharekës, B.B., dhe ndaj A.M., person përgjegjës i një operatori ekonomik.
B.B. akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ndërsa A.M. për keqpërdorim ose mashtrim në prokurim publik.
Sipas Prokurorisë, ish-drejtori, në cilësinë e menaxherit të kontratës për ndërtimin e lapidarit në fshatin Samadraxhë, dyshohet se ka mundësuar pagesë prej 5 mijë eurosh për punime që nuk ishin realizuar sipas kontratës.
Prokuroria pretendon se Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material prej 5 mijë eurosh, ndërsa rasti është mbështetur edhe në një ekspertizë të ndërtimtarisë.
Prokurori ka kërkuar që, pas shqyrtimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.




