Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur sërish fajtor Shaqir Lutvijën dhe e ka dënuar me 10 vjet burgim për akuzat për krime lufte ndaj popullatës civile në Prizren gjatë luftës në Kosovë.
Aktgjykimi është shpallur nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Kujtim Krasniqi, ndërsa në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Masa e paraburgimit do të vazhdojë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
Lutvija është obliguar gjithashtu të paguajë 400 euro shpenzime gjyqësore dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.
Rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit më 23 qershor 2026, pasi Themelorja më herët, më 11 nëntor 2025, kishte marrë të njëjtin vendim me 10 vjet burgim.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Lutvija, në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren gjatë viteve 1998-1999, akuzohej për përfshirje në arrestime, keqtrajtime dhe trajtime çnjerëzore ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.
Lutvija në seancën fillestare ishte deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave të ngritura kundër tij.




