Kina ka hedhur poshtë raportimet se do t’i dërgojë Iranit raketa mbrojtëse ajrore, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe pa bazë faktike.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, deklaroi se Pekini e ka bërë të qartë qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje dhe se vendi angazhohet për paqen dhe përfundimin e konflikteve.
“Raportimet nuk janë të vërteta dhe nuk përputhen me faktet”, tha ajo gjatë një konference për media në Pekin.
Edhe Pakistani ka mohuar kategorikisht pretendimet se do të lehtësonte tranzitin e një dërgese të tillë drejt Iranit, duke i cilësuar spekulimet si të pabaza.
Më herët ishte raportuar se Irani mund të merrte një furnizim fillestar me sisteme të mbrojtjes ajrore të prodhuara në Kinë, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar mbrojtjen e tij gjatë tensioneve me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, këto pretendime janë kundërshtuar nga Pekini dhe Islamabadi.




