Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), në bashkëpunim me GIZ-in, ka hapur “Panairin e Gruas”, aktivitet që ka për qëllim mbështetjen dhe promovimin e grave ndërmarrëse në Kosovë.
Në panair dhjetëra gra prezantuan produktet dhe shërbimet e tyre, duke krijuar mundësi për promovim të bizneseve, bashkëpunim dhe fuqizim ekonomik.
Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, tha se zhvillimi ekonomik i vendit nuk mund të arrihet pa përfshirjen dhe mbështetjen e grave në biznes, prodhim dhe shërbime.
Ai vlerësoi rolin e grave ndërmarrëse dhe u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin produktet e tyre.
Ndërsa ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se gratë ndërmarrëse kanë një rol të rëndësishëm në politikat ekonomike të vendit.
Ajo bëri të ditur se janë krijuar skema të ndryshme mbështetëse dhe grante për gratë në biznes, ndërsa në kuadër të Agjencisë së Re për Ndërmarrësi dhe Inovacion pritet të funksionojë një divizion i veçantë për mbështetjen e grave ndërmarrëse.
Kusari-Lila tha se synimi është që gratë të kenë më shumë qasje në asistencë teknike, financim dhe mundësi për zhvillimin e bizneseve të tyre./EO/




