Pak para nisjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), sekretari i përgjithshëm i partisë, Ilir Ferati, tha se delegatët do të ushtrojnë votën e fshehtë, të cilën e cilësoi si mënyrën më demokratike të vendimmarrjes.
Ferati deklaroi se Kuvendi është thirrur pas kërkesës së delegatëve iniciues, të cilët kanë përmbushur kushtet statutore, ndërsa Kryesia e LDK-së e ka organizuar mbledhjen brenda 15 ditësh, pa pritur afatin maksimal prej 60 ditësh.
Ai bëri të ditur se të gjitha përgatitjet teknike kanë përfunduar dhe se Kuvendi do të zhvillohet me një pikë të vetme të rendit të ditës, sipas kërkesës së iniciuesve.
I pyetur nëse do të ketë debat, Ferati u përgjigj se LDK është “shtëpi e debatit demokratik”, duke theksuar se diskutimi do të jetë i hapur.
Sipas tij, Kuvendi është mekanizëm demokratik për zgjidhjen e dallimeve përmes debatit dhe votës së fshehtë, praktikë që, siç tha ai, LDK e ka kultivuar prej disa kuvendeve.
Ndërsa nuk pranoi të parashikojë rezultatin e votimit, Ferati tha se qëndrimet e tij tashmë janë të njohura dhe se vendimi do të merret nga delegatët përmes votës së fshehtë./EO/




