Pak para nisjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), anëtarja e Kryesisë së partisë, Sibel Halimi, ka deklaruar se pret që procesi të zhvillohet në frymë demokratike dhe pa tensione.
Ajo theksoi se është e rëndësishme që delegatët të votojnë sipas bindjeve të tyre personale, duke shprehur besimin se kuvendi do të përfundojë me sukses.
“Është shumë me rëndësi që sot të triumfojë demokracia dhe delegatët të votojnë sipas bindjeve të tyre personale. Besoj se do t’ia dalim me sukses”, tha Halimi.
E pyetur nëse ka pasur presion ndaj delegatëve, ajo e mohoi kategorikisht një gjë të tillë.
“Absolutisht jo. LDK-ja do të dëshmojë edhe sot vlerat që historikisht i ka promovuar dhe i ka zbatuar në funksionimin e saj si parti politike”, u shpreh ajo.
Halimi shtoi se nuk pret incidente gjatë zhvillimit të kuvendit, duke vlerësuar se delegatët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e debatit dhe vendimmarrjes demokratike.
Ajo pranoi se, sipas bindjes së saj, nuk ka qenë koha më e përshtatshme për organizimin e një kuvendi të tillë, por theksoi se ai është thirrur në përputhje me Statutin e LDK-së, pas kërkesës së delegatëve.
“Në fund, çfarëdo rezultati që të ketë, besoj se do të dalim faqebardhë”, përfundoi Halimi./EO/




