Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), në mbledhjen e mbajtur më 29 korrik, ka miratuar një sërë vendimesh që synojnë avancimin e proceseve të privatizimit dhe forcimin e qeverisjes institucionale.
Në kuadër të shitjeve përmes tenderit publik, Bordi miratoi shpalljen e listës SHAL-75, e cila përfshin 260 asete të ritenderuara që pritet të publikohen së shpejti.
Sa i përket shitjeve me negocim të drejtpërdrejtë, u miratuan dy kërkesa për procedim të mëtejmë, ndërsa 12 u refuzuan. Gjithashtu, u aprovuan 10 raporte përfundimtare, duke autorizuar vazhdimin e procedurave kontraktuale.
Bordi shqyrtoi edhe kërkesat për blerjen e banesave në pronësi shoqërore, ku miratoi një kërkesë, refuzoi tre të tjera për mungesë dokumentacioni dhe në një rast u shpall jokompetent.
Në fushën e qiradhënies, u analizuan rezultatet e dhënies me qira të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, ndërsa u vendos rivlerësimi i çmimeve referuese për disa prona.
Po ashtu, u miratua shpërndarja e mbi 261 mijë eurove për kreditorët e dy ndërmarrjeve shoqërore në likuidim dhe u aprovua buxhet shtesë për pesë ndërmarrje, procedurat e likuidimit të të cilave ende nuk kanë përfunduar.
Bordi miratoi edhe Rregulloren për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe ndryshime në metodologjinë e përcaktimit të çmimit orientues për shitjen e aseteve, me synim rritjen e transparencës dhe parashikueshmërisë së procesit.




