Policia ka trajtuar dy raste të ndara të përdorimit të armëve gjatë ahengjeve familjare në Shtime, ku janë sekuestruar dy armë.
Rasti i parë është raportuar në fshatin Petrovë, ku një 25-vjeçar ka pranuar se ka shtënë me armë zjarri dhe ka dorëzuar një pistoletë me dy fishekë. Ndërkaq, rasti i dytë ka ndodhur në rrugën “Fazli Grajqevci” në Shtime, ku një 27-vjeçar ka dorëzuar një armë me gas, e cila dyshohet se ishte përdorur gjatë një ahengu familjar.
Me urdhër të prokurorit, në të dy rastet janë iniciuar procedura për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Armët janë sekuestruar, ndërsa të dyshuarit, pas intervistimit, janë liruar në procedurë të rregullt hetimore.
Policia ka përsëritur apelin që qytetarët të mos përdorin armë në ahengje, duke theksuar se një veprim i tillë rrezikon jetën dhe përbën vepër penale.




