Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar medikamente të padeklaruara të fshehura në një autobus gjatë kontrolleve në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit rutinor është identifikuar një hapësirë e kamufluar në shkallët e autobusit. Pas kontrollit të detajuar janë gjetur disa pako, të cilat fillimisht dyshohej se përmbanin çaj, por pas verifikimit është konstatuar se bëhej fjalë për medikamente të padeklaruara.
Vlera e përafërt e mallit të zbuluar llogaritet rreth 6 mijë euro.
Dogana ka bërë të ditur se, para kontrollit fizik, drejtuesi i autobusit kishte deklaruar se nuk posedonte mallra për t’i paraqitur pranë autoriteteve doganore.
Për shkak të natyrës së rastit, autobusi është dërguar në terminalin doganor për kontroll të mëtejshëm në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ndërsa ndaj rastit janë ndërmarrë veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës rikujton se importi i medikamenteve i nënshtrohet procedurave dhe autorizimeve të veçanta ligjore, ndërsa fshehja ose mosdeklarimi i mallrave përbën shkelje të legjislacionit doganor dhe rrezikon sigurinë e zinxhirit të furnizimit dhe shëndetin publik.




