Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për deklasifikimin e dokumenteve që lidhen me krimet e luftës në Kosovë.
Gjatë vizitës në Kalludër të Vogël në Zubin-Potok, ku po zhvillohen gërmime në një lokacion të dyshuar si varrezë masive, Kurti tha se Serbia duhet të hapë arkivat dhe të kontribuojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Ai përmendi edhe dokumentacionin e Brigadës së Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave, duke thënë se këto materiale lidhen me krime të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe se nuk duhet të mbeten të klasifikuara për dekada.
Kurti u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të angazhohen për hapjen e këtyre dokumenteve, me qëllim që familjet e mbi 1 mijë e 500 personave të pagjetur të marrin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.




