Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka paraqitur listën e parë institucionale të viktimave të luftës, ku janë dokumentuar 12 mijë e 230 persona.
Haxhiu tha se lista është ende preliminare dhe procesi i dokumentimit do të vazhdojë, me qëllim që çdo viktimë të identifikohet dhe krimet e kryera gjatë luftës të dokumentohen.
Ajo vlerësoi punën e stafit të Institutit, duke theksuar se mbledhja dhe verifikimi i të dhënave nga arkiva, institucione dhe familje është një proces i rëndësishëm për ruajtjen e së vërtetës historike.
Sipas saj, Instituti është themeluar si një institucion i përhershëm me mandat ligjor për dokumentimin e krimeve të luftës, përfshirë masakrat, dëbimet, dhunën seksuale, torturat dhe varrezat masive.
Haxhiu theksoi se ky proces duhet të vazhdojë deri në dokumentimin e plotë të të gjitha rasteve dhe që asnjë viktimë të mos mbetet pa emër.




