Dogana e Kosovës ka parandaluar futjen e 157 palëve atlete të padeklaruara në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë.
Gjatë një kontrolli rutinor, zyrtarët doganorë ndaluan një automjet, drejtuesi i të cilit deklaroi se nuk kishte mallra për të paraqitur.
Megjithatë, kontrolli fizik zbuloi atletet, për të cilat nuk kishte faturë apo dokumentacion që dëshmonte origjinën dhe vlerën e tyre.
Mallrat janë ndaluar nga Dogana, ndërsa rasti është proceduar sipas legjislacionit doganor për veprime të mëtejshme.
Dogana e Kosovës rikujton se çdo mall që hyn në vend duhet të deklarohet dhe të shoqërohet me dokumentacionin përkatës, duke bërë thirrje për respektimin e detyrimeve ligjore.






