Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme për shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores së KQZ-së për vëzhguesit e zgjedhjeve, duke i cilësuar ato si në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Sipas KDI-së, dispozitat e kontestuara vendosnin kufizime dhe kërkesa shtesë për organizatat dhe mediat që aplikojnë për akreditim si vëzhgues, përfshirë kërkesa për dokumentacion dhe informacione që nuk kishin bazë të qartë ligjore.
KDI ka vlerësuar se disa nga këto rregulla mund të krijonin hapësirë për vendimmarrje të paqartë dhe të ndikonin në rolin e organizatave të pavarura në monitorimin e proceseve zgjedhore.
Instituti ka theksuar gjithashtu se kufizimet për personat nën hetim për çështje zgjedhore cenonin parimin e prezumimit të pafajësisë, ndërsa rregullat për qasjen në mbledhjet publike të KQZ-së dhe komisioneve komunale mund të dëmtonin transparencën e procesit.
KDI ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Supreme dhe ta harmonizojë rregulloren me ligjin, duke bërë thirrje që ndryshimet të zhvillohen përmes një procesi transparent dhe me përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile dhe mediave.




